Shkolla e Magjistraturës, më datë 12 nëntor 2024, zhvillon temën e dytë të modulit “Provat në procesin civil”, “Provat me shkresë në procesin civil dhe autonomia private e palëve në procesin e të provuarit. Përdorshmëria e akteve procedurale dhe papërdorshmëria e provave në gjykimin civil dhe administrativ. Procesi i të provuarit në procesin civil”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet drejtohet nga:
Ekspert: Sokol Pina
Lehtësues: Lorena Çabej
Ky trajnim do të përqendrohet tek evidentimi dhe adresimi i çështjeve më të diskutueshme që kanë rezultuar nga studimi i praktikës gjyqësore. Do të analizohet jurisprudenca e gjykatave shqiptare dhe atyre të huaja, si dhe legjislacioni e trajtimet doktrinare të vendeve që kanë legjislacion të ngjashëm e ku është bazuar ai shqiptar, duke synuar që pjesëmarrësit të njihen me problematikat ligjore dhe të praktikës gjyqësore; të diskutohen ato dhe të ofrohen interpretimet dhe zgjidhjet më të mira të pranuara nga jurisprudenca.
Trajnimi do të realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si:
- Provat në procesin civil
- Procesi, mënyra dhe koha e paraqitjes së provave/provat e reja; Standardi i të provuarit; Pranueshmëria e provave; Ekspertimi si provë
- Standardi i të provuarit në gjykimin civil dhe provat atipike/praktika gjyqësore
- Provat legale dhe ato elektronike; Detyrueshmëria e vendimit penal të formës së prerë dhe vlera e fakteve të vërtetuara në procesin penal
Në këtë aktivitet trajnues marrin pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.